Shkodra e Jonë

Kulla

U vonuam pak për shkrimin e radhës sepse po punonim në tre kërkime të ndryshme. Nga njëra anë, po përgatitnim një artikull në lidhje me (mos)zhvillimin ekonomik të Shkodrës dhe mungesës së qartësisë së vizionit realist afatgjatë të qytetit. Ndërkohë që ishim gati për publikim, BAM, lartmadhëritë feudalo-popullore inauguruan me pompozitet 31 km rrugë, në shekullin 21, a thua se po na bënin nder dhe nuk po kryenin detyrën e tyre primare të sundimit… pardon, qeverisjes.

Kjo na bëri që të ndalim artikullin e (mos)zhvillimit dhe të fokusoheshim te nderi që na bënë me rrugën, dhe të falënderonim Bashkinë tonë se si na i mbrojti interesat, duke taksuar këdo që prite Zot nga Tirana do të vijë në Shkodër për një fundjavë, ose nga Shkodra të shkojë në Tiranë, qoftë edhe për një akt noterial. Jam i sigurt se të gjithë e dini se si (nuk) taksohet rruga nga Tirana në Durrës, Elbasan, Korçë… etj etj. Ndërkohë që po përfundonim mendimet tona se si po na hidhet perpetualisht hi syve, zyra e propagandës së social media të Kryetarit të Bashkisë, edhe një herë, me shumë diletantizëm (dhe shumë fjalë të tjera që mbarojnë me “-izëm”, si “servilizëm” psh), na thotë se ne shkodranët jemi me kaq fat, na ka parë kaq shumë e mirë Zoti sa Sulltani me atlete dhe Beneti i Urtë po na nderojnë me një produkt “ndërkombëtar”!!! (ky kompleksi i jonë i inferioritetit dhe mashtrimi akut se nëse diçka është “ndërkombëtare” do të jetë patjetër më e mirë, më e ndershme…)

Ky produkti ndërkombëtar na qenka një kullë, që me të vërtetë është “e huaj”, në kuptimin se nuk shkon aspak me karakterin arkitekturor e historik të Qytetit të Shkodrës. Shumë gjëra ka “Të huaja” kjo kullë:

  • Nuk dihet sa kate do të jetë.
  • Nuk dihet kush e financon.
  • Nuk dihet kush e ndërton.
  • Mbi të gjitha, nuk dihet kur është bërë seanca e dëgjesës publike me qytetarët e Shkodrës!!!! Në një vend normal, nëse ri-zonohet një shtëpi në lagje përtej kontureve të zonës, ka dëgjese publike! Këtu po ndërtohet një monstruozitet që asnjë lidhje nuk ka me Shkodrën, dhe shkodranët nuk po pyeten!

Por të dëgjosh Kryetarin tonë: “Shumë interesant dhe shpresëdhënës takimi me rreth 20 arkitektë ndërkombëtarë, pjesëmarrës në konkursin ndërkombëtar dhe jurinë për Rozafa Tower, organizuar nga Rozafa Group, nën kujdesin e kryeministrit Edi Rama, të gjithë shumë entuziastë për të ardhmen e Shkodrës. Juria shpalli fitues projektin e studios spanjolle “Segalscano dhe FRPO” që prezantoi një projekt shumë inovativ, i cili jo vetëm do të jetë një pikë e re moderne reference për qytetin, por dhe do të rrisë e përmirësojë cilësisht dhomat e hotelerisë e sallat e konferencave, në përgjigje të rritjes së kërkesës turistike në qytet”.

Ta disektojmë: Rozafa Group (çfarë është kjo? Nëse është biznes, nuk figuron në QKB deri në 5:20 am të datës 19 Korrik 2024), bashkë me Sulltanin Rama, janë entuziastë për të ardhmen e Shkodrës, dhe janë aq entuziastë sa po na ndërtojnë një kullë që do të jetë: Pikë Reference, hoteleri, konferenca, etj. Benet! Mos luaj me Shkodrën. Me aq cinizëm sa ta dhanë votën në 2023, me të njëjtën pompozitet do të të thonë “rruga e mbarë” në 2028.

Benet! Mos u tall me Shkodrën. Je person pragmatik dhe inteligjent. Je rrethuar nga një shtresë servilash që të ushqejnë atë që ti do të dëgjosh. Dil nga flluska që të kanë futur dhe komuniko me njerëzit autentikë të qytetit. Në të kundërt, mos harro se nuk ka shurdh më të keq se ai që nuk do të dëgjojë.

Benet! Shkodra nuk ka nevojë për një pikë të re reference. Shkodra ka 1000 të tilla. Shkodra ka nevojë për leadership që këto 1000 pika historike, unike reference, të shfrytëzohen në dobi të qytetit tonë, qytetarëve tanë dhe miqve që na vizitojnë nga e gjithë Bota.

Benet! Nuk ke mandat t’i heqësh unikalitetin Shkodrës. Nuk ke të drejtë dhe të lutem mendoju mirë para se ta “tiranizosh” qytetin tonë! Ke bërë disa punë të bukura që do të të bëjnë vend në historinë e qytetit, mos tento me ngulm të hysh edhe në librin e turpit të tij.

Shkodranë! Mos lejoni që dikush t’i ndryshojë karakterin qytetit tonë. MOS E LEJONI. Veproni para se të jetë vonë. Nuk ka asnjë benefit për Ju ndërtimi i një kulle 40 kat. Do të jetë një leje ndërtimi, një grup i vogël që do pastrojë para e do fitojë në mënyrë marramendëse! Në vend të një kulle 40 kate, Bashkia të japë 5 leje për 5 pallate tetëkatëshe.

Benet! Ke një industri ndërtimi ndër gjunjë që Bashkia e ka bllokuar që 14 muaj. A e dini Ju Z. Benet se punëtorët e ndërtimit shkojnë punojnë në Mal të Zi çdo ditë për bukën e gojës? A e dini ju se çdo segment i lidhur me ndërtimin është i dëshpëruar? A e dini ju sa investime të ndershme ka ndaluar Bashkia juaj këto kohë? A e dini ju se është Zonë Historike Shkodrës që ka nevojë për zhvillim TË KONTROLLUAR dhe brenda normave të zonës? Ke hyrjen e Shkodrës për të cilën nuk ke marrë asnjë veprim që 14 muaj.

Si ia lejoni vetes o Bashki të na mashtroni me propagandë?

Shkodranë! Ju lutem, mendojuni mirë! Protestë! Protestë! Mosbindje civile! Shkoni në Bashki. Firmosni që Shkodra të mbetet e jona. Mos-aktivizmi sot është abdikimi i të drejtës për tu ankuar mot!