Shkodra e Jonë

Një përgjigje publike për komentin publik të Kryetarit Publik të Bashkisë tonë

Z. Kryetar,

Si shumë shkodranë të tjerë lexova me shumë interes shkrimin tuaj në Instagram (!) (sa mirë sikur të kishte website i Bashkisë sonë një faqe ku Kryetari i jonë të dilte me një deklaratë publike po nejse ku ta mësojë protokollin stafi i Juaj) në lidhje me reflektimin që i bëni të dhënave të Instat për tkurrjen masive të popullsisë së Qytetit dhe Qarkut Shkodër. E lexova me shumë interes pjesën e parë të postimit tuaj (ah sikur të ishte i gjithi në një shkrim dokument që do t’i kishte hije Kryetarit të Bashkisë më të madhe të Veriut të Shqipërisë) ku diagnoza e problemit ishte pak e ndrojtur (?) (… t’ia lëmë analizën statisticienëve…”) por të paktën ishte aty; me kureshtje fillova të lexoj pjesët 2-3 a më shumë… dhe aty t’ju them të drejtën Z. Kryetar dallova arterjet karotide që filluan të pulsojnë më fort, duart të djersitin kështu që lashë darkën në mes dhe vendosa të ulem t’ju kthej një përgjigje e cila në asnjë mënyrë nuk është kundër jush por…. Jo kjo është gënjeshtër me gjithë respektin njerëzor pa fund që kam për ju, kjo replikë është fiks kundër Jush sepse ne Ju kemi zgjedhur Ju në krye të qytetit tonë dhe Ju na premtuat që ishit më i miri për këtë punë! Kjo përgjigje është kundër punës që keni bërë Ju deri tani!

Dua të filloj me të mirat që kanë ndodhur në qytetin tonë që në kohën që Ne ju morëm në punë Ju për të drejtuar të mirën tonë të përbashkët. Janë të mira të pamohueshme për të cilat Qyteti dhe Qarku i Jonë kishte nevojë. Po citoj direkt nga shkrimi i juaj në mënyrë që mos të ketë keq-interpretim:

– Shërbimet publike janë përmirësuar – E debatueshme

– Asfaltimet e rrugëve – Padyshim Po

– Mirëmbajtja e përmirësimi i trotuareve dhe korsive të biçikletave – Padyshim Po

– Menaxhimi i mbetjeve – OK

– Përmirësimi i tregjeve – Punë në vazhdim

– Sistemimi i ndriçimit të disa rrugëve në qytet e në Velipojë – Po

– Kujdesi për sinjalistikën e gjelbërimin  – Tmerrësisht shumë për të dëshiruar nuk mund të quhet sukses.

– Mundësitë e lundrimit në liqenin e Shkodrës – Me të vërtetë e quani arritje këtë? E dini ju që Republika e Venedikut ka bërë tregti me Shkodrën nëpërmjet lumit Buna që nga koha e Skënderbeut?

– Mirëmbajtja e kanaleve dhe më gjerë infrastruktura rurale – Po

– Rritja e performancës së Administratës – Këtë e keni vendosur për sens humori apo jo???? Sepse 100% e njerëzve që unë kam pyetur mendojnë të kundërtën. PS: Asnjë zyrë e Bashkisë Shkodër nuk ka numër telefoni p.sh. Orari zyrtar i funksionarëve në shërbimin tonë nuk respektohet.

– Fuqizimi i eventeve kulturore, artistike e sportive e në përgjithësi përmirësimi i imazhit të Shkodrës – Kjo kërkon një analizë të veçantë për të cilën ne kemi shkruar më përpara (Gladiatorët??)

U ndalet shumë për të komentuar në lidhje me hapat gjigantë përpara që ka bërë turizmi në Shkodër këto vitet e fundit. Kjo është gjithashtu diçka e pamohueshme por nuk e di a mund t’i jap merite për këtë administratës Tuaj apo progresionit të thjeshtë gjeometrik që ka turizmi në vende “të reja” në kohën e social media. Turizmi i progresioneve gjeometrike ama është mallkim po aq sa është edhe bekim. Këtë Ju Z. Kryetar e dini (jam i sigurt që ato që ju rrethojnë jo edhe aq shumë ose kanë frikë të shprehen). Ky turizëm i zhvilluar në Shkodër nuk është i qëndrueshëm në stadin aktual sepse:

a) infrastruktura bazë e qytetit Shkodër kolapson kur ka shtesë të tillë të popullsisë të menjëhershme dhe të pakontrolluar. Kjo sjell në pakënaqësi dhe rrjedhimisht në përshtypje jo-pozitive.

b) Kjo shtesë e turizmit “kafsho dhe ik” bie komplet kundër qëllimit publik tuajit për kthimin e Shkodrës në “…një qytet të mirë për fëmijët dhe të rinjtë një vend për familjet e reja…” sepse as infrastruktura nuk e përballon dhe më e rëndësishmja një vërshim i pakontrolluar po sjell gentrifikimin e mbarë qytetit Shkodër. Jam i sigurt se jeni informuar për protestat pa doreza të një shoqërie urbane jo servile dhe kryeforte (siç ëndërron të jetë ajo shkodrane) e qytetarëve të Barcelonës p.sh.? A ju kanë informuar se Barcelona (BARCELONA!) po vendos limite të ngurta dhe taksim çdo pronë të kthyer në AirBnB dhe po takson në mënyrë progresive pronarët ose menaxherët e më shumë se një prone? A e keni vënë re se Venecia po vendos numër të mbyllur turistësh për tarifë fikse për të hyrë në qytet në mënyrë që i gjithë qyteti të mos kthehet vetëm në një cirk ditor? E pra Barcelona ka eksperiencë “globalizimi të turizmit” të paktën 32-vjeçare… e Venecia rreth 1000-vjeçare…

Kemi për detyrë të mos verbohemi nga suksesi i momentit dhe të humbim fokusin e mbajtjes së qytetit tonë në një qytet të banueshëm për brezat në vazhdim. Çmimet e pronave të patundshme kanë arritur në stratosferë kjo pavarësisht rënies së popullsisë! Si mundet atëherë një familje e re që ju doni ta mbani në Shkodër të blejë një hyrje pallati me Eur 1000 + metri katror? Në një kompleks ku 1/3 e apartamenteve janë AirBnb? Ky është fenomeni që Barcelona vuan sot dhe Venecia mot. Ky është mallkim demografik dhe kërkon zgjidhje në nivel administrate që Ju nuk po e jepni. Kjo sepse Ju po silleni si politikan dhe jo menaxher. Politikani e sheh historinë në blloqe 4-5 vjeçare sa për të fituar zgjedhjet e ardhshme; menaxheri në blloqe gjeneracionale! Ai që thotë që është thjesht mallkimi i progresit dhe nuk ka zgjidhje, ju them që e keni gabim. Kjo zgjidhet me një politikë taksuese e cila nuk përdoret për të penalizuar pronarët por për t’i vënë në një garë të drejtë me banorët e Shkodrës që kanë nevojë për pronë nga njëra anë dhe me hotelerinë në anën tjetër.

Ju Zoti Kryetar jeni fajtor së paku indirekt për këtë gentrifikim sepse:

  1. Jokompetenca te stafit tuaj ka bllokuar lejet e ndërtimit mbi një vit. Kjo ka sjellë së paku një vit të humbur për “familjet e reja” që ju trumpetoni që doni në Shkodër. Një vit më pak ofertë kur shihet që ka kërkesë në tregun imobiliar.
  2. Si pasojë e pikës më sipër jo vetëm sektori direkt i ndërtimit është në gjunjë por edhe çdo industri e lidhur me të.
  3. Si shpjegohet që mbas një viti i vetmi ndërtim që aprovon Bashkia është kulla jo-rezidenciale në mes të qytetit? Kujt i shërben ajo? Nga ku erdhi urdhri?
  4. Ju nuk e keni më gishtin në pulsin e qytetit. Pas 15 muajsh që jeni në detyrë fatkeqësisht konstatoj se jeni rrethuar nga një ordi servilesh që kanë frikë (ose nuk kanë leverdi) t’ju tregojnë të vërtetat e qytetit tonë.

15 muaj keni bërë disa punë për t’u komplimentuar: asfaltimet, korsitë e biçikletave… por mos vallë koha juaj nuk është më e çmuar se të dilni në terren të kontrolloni si është vënë vija për kalimin e këmbësorëve??? Kjo ose tregon që Ju nuk keni besim në njerëzit që punojnë për Ju për të vizatuar në asfalt ose jeni të keq-këshilluar nga pseudo-këshilltarët tuaj për të pasur 5 postime propagandistike më shumë në social media. Fatkeqësisht nuk arrij të besoj në skenarin e parë sepse sikur të dilnit me të vërtetë për të kontrolluar nuk do “rastiste” të kishit mbrapa edhe kameramanë e fotografë dhe të kishit sesban edhe pensionistët e rastit që “ndodhin” në rrugë për t’ju komplimentuar. Sikur të donit të dilnit me të vërtetë për të kontrolluar si shkojnë punët dilni vetëm, dilni pa e ditur stafi juaj. Uluni në kafe të pa-planifikuar me qytetarë të Shkodrës pa i thënë “këshilltarëve” tuaj dhe mos na ushqeni këtë propagandë enveriste e cila t’ju them të drejtën nuk i shkon një individi të kalibrit Tuaj!

Duke parë sa u zgjata do ta mbyll këtë shkrim me një koment në lidhje me interesin që kanë emigrantët për të investuar në Shkodër. Përtej hipokrizive të kota të gjithë e dimë se ka dy lloje “emigrantësh” dhe Diasporë. Ka personat që vijnë për të “investuar” valixhe me cash të cilat nuk kanë ku t’i pastrojnë atje ku i fitojnë por ka edhe prej atyre që kapitalin e kanë vënë në mënyrë “jo alternative”. Dua të di çfarë saktësisht po bëni Ju për të incentivuar kategorinë e dytë për të investuar në Shkodër? Di t’ju them që vetëm sot që po ju shkruaj, vetëm unë që po ju shkruaj njoh 2 persona biznesmenë të suksesshëm që ndodhen sot në Shkodër me të cilët kam biseduar Sot e të cilët më përmendin kalvarin e mos-përgjigjeve të Bashkisë. Çfarë lehtësirash po jep Bashkia që personat që duan të investojnë në Shkodër t’ia arrijnë në mënyrë të ligjshme dhe pa pengesa? Ju lutem Z. Kryetar t’i lëmë demagogjitë dhe të punojmë me të vërtetë me vizion për qytetin tonë. Jam i sigurt që Ju e doni Shkodrën po aq sa ne. Na e tregoni me vepra jo me fjalë.

Po e mbyll këtë koment me një event që më ndodhi dje në Shkodër dhe që më la një shije aq të hidhur. Kam pasur privilegjin të njoh në Shkodër disa individë fantastikë nga ana njerëzore dhe profesionale, individë të cilët i japin shoqërisë së Qytetit tonë pa i kërkuar gjë mbrapa, ata individë që do ta meritonin të kujdeseshin për gjënë publike. Kam diskutuar shumë shpesh me një nga këta individë një person shumë i afërt për mua se pse kanë zgjedhur të rrijnë në Shkodër dhe gjithmonë përgjigja ka qenë se “…asht qyteti i jem; nëse ikim të tanë kujt me ia lënë? Te fortëve a?” E pra ky person dje kishte marrë vendimin të largohet nga Shkodra dhe pika që kishte derdhur kupën kishte qenë një ndërveprim me administratën Tuaj Z. Kryetar. Po ju them që unë ju fajësoj Ju për humbjen e këtij individi i cili ka votuar për Ju në zgjedhjet e shkuara.

**Shënim:**

Duke parë sa u zgjat ky shkrim, pjesa e dytë e cila do të ketë një sërë rekomandimesh për mbarëvajtjen e gjësë publike në Shkodër do të publikohet në ditët në vijim. Faleminderit për durimin që treguat duke e lexuar të gjithin dhe si gjithmonë komentet tuaja jo-ofensive janë mëse të mirëpritura. Për qytetin tonë!