Shkodra e Jonë

Pilula e fundjavës – Ekselentet (1914) 2024

Po marr shtysen të shkruaj këto dy rreshta duke u nisur nga eventi shume domethenes i realizuar nga Bashkia Shkoder me titull “Ekselentët Shkodër 2024”.  Një përgëzim për Bashkinë që vlerëson arritjet e maturantëve; në të gjithë kujtojmë ato emocione, provimet e maturës, rrugëtimi për në “adulthood” me të panjohurat e veta, si të shoqëve e shokëve tanë që vazhduan studimet apo punën në Shqipëri, si për të tjerët që zgjodhën të kalojnë kufijtë.  Bashkia Shkodër (më shumë të drejtë) i dedikoi një ditë për t’i përgëzuar për arritjet e tyre të deritanishme, dhe e bëri ashtu siç kjo Bashki po tregon se ka një predispozitë: me kënge, kërcime, aheng.

Duke cituar postimet në rrjetet sociale zyrtare të Bashkisë Shkodër, “… Fjalimet frymëzuese nga mësuesit e shkollave dhe drejtues, i motivuan të gjithë për të vazhduar me përkushtim në rrugën e tyre akademike dhe profesionale.”  Sa bukur! Sa prozë rrënqethëse e gjetur!

Diçka tjetër ndodhi këto 2 ditë.  Pata mundësine të bashkëbisedoj me disa maturantë (rreth 20 për të qenë më i saktë, por kjo nuk është statistikë zyrtare), dhe gjëja që më bëri më shumë përshtypje është se 14 ndër ta mezi prisnin të largohen nga Shkodra… ndërsa 6 të tjerët, nuk kishin gjetur akoma mundësine!  Kjo më bëri të mendoj, sidomos kur po i hidhja një sy është censusit të fundit zyrtar të Shqipërisë, që skaliti se popullsia permamente në vitin 2023 u zvogëlua me 420,000 njesi në krahasim me censusin e vitit 2011 (gati 15% rënie, po kujt po i duhet gjë kjo punë?!)

Me këto dy mendime në kokë, iu ktheva edhe një herë “Fjalimeve frymëzuese nga mësuesit e shkollave dhe drejtues” dhe ajo që vura re është së përtej propagandës e ahengut, maturantëve të shkretë nuk iu prezantua asnjë vizion i qartë se si mendon Bashkia e haresë (pardon, e Shkodrës) ta kthejë këtë ekselencë në vendlindje të tyre pas përfundimit të studimeve.  Nuk i besova vetes…  nuk ka mundësi, “fjalimet frymëzuese” thjesht do të kenë harruar t’i përmendin këto prioritete, kështu që i hyra me themel publikimeve të Bashkisë Shkodër për të gjetur plane afatmesem e afatgjatë (pra, jo korsi biçikletash dhe festë krapi) dhe, me perjashtim të dy projekteve infrastrukturore afatgjatë, nuk gjeta asgjë tjetër.  Zero. Zilch.  Nada.

Kjo më bëri të mendoj edhe dicka tjeter… E dini, une jam shumë i apasionuar mbas historisë, duke filluar nga Roma e lashtë (Caput Mundi), deri në evente qe i kanë dhënë formë botës përendimore të shekullit të 20-të. Mu kujtua se spektaklet me gladiatorë në Colosseo, Senati i Romes i përdorte më shumë patos për t’i hequr mendjen popullit të gjorë nga taksat që po shtoheshin, nga korrupsioni dhe kalbja e Perandorisë… mu kujtua edhe se në Luftën e Parë Botërore, 18 vjeçarëve nga Germania në Austri, Rusia në Francë, Anglia në Itali, para se të shkonin në front për tu takuar me fatin mizor në të cilin i kishin nisur pushtetarët e tyre, e kishin një natë të fundit ahengu… e ndoshta, vetëm ndoshta, edhe ata të gjithë, atë natë, e ndjenin veten si Ekselentët e 1914…

Suksese në rrugetimin tuaj, Ekselentë 2024! Mos lejoni që ëndrrat tuaja të tregtohen nga tregtarë flamujsh, pavarësisht ngjyrës së flamurit që ju ofrohet si shkëmbim.