Shkodra e Jonë lind me një qëllim: të japë spunto për një diskutim të hapur, konkret dhe sa më objektiv që të jetë e mundur në lidhje me aktivitetin e pushtetit lokal dhe qendror në qytetin tonë. Qëllimi i jonë nuk është të bëjmë kritika boshe dhe diskutime pa fund.
Ne duam të trajtojmë tematika konkrete që qyteti i jonë i vuan, si dhe të propozojmë zgjidhje të cilat shpresojmë që, në mos të merren në konsideratë nga Bashkia Shkodër, të paktën të iniciojnë një diskutim në rrethet ekonomike, politike dhe sociale të qytetit.
Qëllimi i dytë i jonë, po aq i rëndësishëm sa i pari, është që të jemi një sy kritik për administratën e qytetit. Bashkia Shkodër i kaloi së majtës për herë të parë në historinë e Shqipërisë të pas vitit 1990; ky ishte një ndryshim katartik. Shkodra i dha një votë të majtës sepse ishte e lodhur me mos-efikasitetin dhe marrjen për të mirëqenë të votës nga e djathta gjithë këto vite. Tani që i dhamë benefitin e dyshimit krahut tjetër politik, dhe tani që ka kaluar mbi një vit nga instaurimi i administratës së re, është koha që si qytetarë shkodranë, t’i vëmë liderët e rinj para përgjegjësisë për veprimet dhe mos-veprimet e tyre të deritanishme. Nuk kemi asnjëherë qëllim të bëjmë kritika të tipit të tifozerisë së stadiumit, por të diskutojmë dhe propozojmë zgjidhje konkrete të bazuara edhe në premtimet elektorale të bëra. Leitmotivi i jonë është t’ju kujtojmë të gjithë shkodranëve që Administrata Lokale punon për ne. Ne i kemi zgjedhur si menaxherë të gjësë publike, por në momentin që nuk e bëjnë punën si duhet, ne edhe i pushojmë nga puna. Këtë mos ta harrojmë. Këtë koncept do ta shihni në çdo temë tonën dhe jo për kundërshtime boshe por për t’i kujtuar të gjithëve çfarë është kjo demokracia përfaqësuese.
Ne jemi një grup shkodranësh me eksperienca të ndryshme në sektorin publik dhe kryesisht atë privat. Jemi pronarë biznesesh dhe menaxherë me përvojë shumëvjeçare në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Ne nuk jemi pjesë e asnjë partie politike në Shqipëri dhe as nuk kemi interesa tenderash apo prokurimesh publike në Shqipëri apo rajon. Në këtë prizëm, nuk jemi të varur nga interesat e ngushta ekonomike. Sukseset tona individuale i kemi ndërtuar pa pasur nevojën t’i themi faleminderit asnjë partie politike apo statusi “alternativ”, pra, nuk i kemi borxh askujt dhe kjo na jep lirinë për të trajtuar edhe tema që mund të jenë mollë e ndaluar për dikë që punon ose ka familjar që i punojnë në administratë publike e mund të rrezikojë vendin e punës.
a) Për të mos lidhur komentet e këtij forumi me asnjë emër të përveçëm. Projekti ynë nuk ka lider, por është një koncert opinionesh, dhe në këtë koncert, çdo instrument ka rëndësi për të arritur harmoninë e produktit final.
b) Nuk duam që vlefshmëria e këtij projekti të gjykohet nga emrat pas tij apo nga historitë personale që sjellim gjithsecili. Ky projekt duam të vlerësohet thjesht e ekskluzivisht në bazë të meritës, të temave që do trajtojmë dhe të diskutimit që do të promovojmë. Merita, një koncept kaq i nënvleftësuar në jetën publike në Shkodër…
c) Në të njëjtën mënyrë, me anonimitet, do të trajtojmë edhe çdo koment, opinion dhe fakt që ju do të ndani me ne, në lidhje me çdo sinjalizim për çfarë nuk po shkon si duhet në qytetin tonë. Edhe një herë, ky nuk është forum ankesash por tavolinë diskutimi, me qëllimin e vetëm mbarëvajtjen e jetës dhe zhvillimin e qytetit tonë.
Objektivi ynë është të trajtojmë një temë në javë. Në javën që ndjek, do të mbledhim komentet nga ju për temën e trajtuar, dhe, ato që do t’i përmbahen frymës së forumit (pra, për të mos folur vetëm për problemet, por për të sugjeruar zgjidhje), do të publikohen (me lejen tuaj).