E di, kjo faqe duhej t’i dedikohej vetëm gjërave që po shkojnë keq në Shkodër… e di gjithashtu se thamë që nuk do të jetë kjo faqe vetëm një vitrinë ankesash, por edhe sugjerimesh për zgjidhje… e di… por lajmet e 24 orëve të fundit për tregtinë me mjerimin dhe jetët e njerëzve në Spitalin Onkologjik pranë QSUNT në Tiranë (ku shkojnë pacientë nga e gjithë Shqipëria, përfshirë edhe nga qyteti ynë), më detyruan të ndaj me ju nja dy mendime:
Duke marrë parasysh dhe respektuar prezumimin e pafajësisë, pra për të mos bërë gjyqe publike pa prokuror dhe avokat mbrojtës, por sikur, vetëm sikur të provohej që ishte e vërtetë se pacientëve me sëmundje terminale iu administrohej një dozë më e vogël se kura e përcaktuar, ose duke i detyruar që kundrejt shumave të konsiderueshme të blinin medikamentet në farmacitë private ose të merrnin trajtime në klinika private, ku referoheshin nga mjekë e infermierë të lidhur me këto klinika e farmaci… sikur kjo të provohej përtej çdo dyshimi se ishte e vërtetë, atëherë po shkruaj edhe disa të vërteta të tjera.
- Statistikisht, duke u bazuar në të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vitin 2022, ka pasur afërsisht 20 milion diagnoza të reja kanceri në botë, me 9.7 milionë vdekje nga kjo sëmundje. Afërsisht 1 ndër 5 persona zhvillojnë një lloj kanceri gjatë jetës së tyre, përafërsisht 1 ndër 9 meshkuj dhe 1 ndër 12 femra vdesin nga kjo sëmundje. Lexoni edhe një herë këto statistika më sipër, mendoni sa veta ka në rrethin tuaj familjar dhe shoqëror dhe kuptoni impaktin e kësaj sëmundjeje.
- Duke u bazuar në sa më sipër, ky lajm na prek të gjithëve. Pa përjashtim të gjithëve. Nëse ka një sëmundje që është “e verbër” dhe nuk sheh status apo followers në social media, por të ndryshon rrënjësisht jetën, kjo është një diagnozë me kancer.
- Ju premtoj se në jetën tonë, të gjithë ne që jemi e jetojmë në Shqipëri, do të kemi të bëjmë me sistemin shëndetësor këtu. Sot për prindërit dhe të afërmit tanë më të vjetër, nesër për veten tonë. Ju premtoj gjithashtu se jo të gjithë do të kenë mundësinë “të shkojnë jashtë” për trajtime mjekësore.
- Sistemi shëndetësor publik në Shqipëri është i kalbur deri në kockë. Këtë e dinë të gjithë. Është shumë vonë të diagnostikojmë këtë problem si të majtë apo të djathtë; fakti është që kjo kalbësirë nuk mund të mbulohet më me asnjë propagandë, pavarësisht nga ku vjen ajo. Edhe për të provuar këtë, nuk ka nevojë të kërkohet larg…
- Apatia është një luks që pas 34 vitesh tranzicion, shoqëria shqiptare nuk mund t’ia lejojë më vetes. E kthyerja e kokës në anën tjetër, belbëzimi se “njoh këtë apo atë mjek a drejtor” nuk është justifikim për të fjetur natën të qetë
- Jemi një popull që debatin dhe polemikën e kemi mjaft qejf. E kemi qejf me kafen e mëngjesit, në vendin e punës, në shoqëri e në familje. Debatojmë dhe “revoltohemi” për gjithçka. Kemi dalë në protesta gjatë Big Brother (sepse çdo gjë tjetër në Shqipëri është spektakël), jemi kthyer në luftëtarë tastierash për të gjykuar e ulur me dashje apo pa dashje Hysaj kokën në ndeshjen me Italinë… Pra, nëse dalim rrugësh e bërtasim për rezultatin e Vllaznisë, Shqipërisë së Futbollit apo Luizit në BB, e rrimë në kafe kur dëgjojmë e lexojmë se si duket se mjekë, të cilët kanë bërë betimin e Hipokratit, konspirojnë të abuzojnë me më të dobëtit ndër ne, atëherë kemi një problem të madh! Këtu i drejtohem bashkëqytetarëve të mi. Nëse Dita e Krapit ka më shumë impakt se shqiptimi i dhunës ndaj të sëmurëve terminalë, nuk di a ka më shpresë për shoqërinë tonë. Nëse e mendojmë se ky lajm nuk na takon, jemi si ai rreziku i cili po largon ujin vetëm nga këmbët e tij në barkën që po mbytet.
- Po çfarë mund të bëjmë ne? Në fund të fundit, duam të sugjerojmë zgjidhje, apo jo? Si fillim, sheshin para Bashkisë mos ta përdorim vetëm për të parë Euro 2024. Nuk do donim kurrë t’i prishnim punë bizneseve aktive aty (siç), por ndoshta, vetëm ndoshta, do ishte mirë që nja dy herë në javë, çdo të martë e çdo të premte, në orën 8:00 të darkës, të mblidheshim të gjithë para Bashkisë, jo me pankarta a brohorima, por me zhurmën çjerrëse të heshtjes tonë, ku në duar të kemi vetëm dy gjëra: Në njërën dorë një qiri, në dorën tjetër foton e një të afërmi a të njohuri tonë që ka humbur betejën me këtë sëmundje. Të mos lejojmë që mbledhja jonë të merret peng nga asnjë forcë politike, sepse këtu të gjithë janë fajtorë… por të kemi vetëm një kërkesë: Gjykim sipas ligjit deri në fund. Fajtorët para ligjit. Pa përjashtim. Në këtë mënyrë, ta kuptojë çdo mjek, infermier, sanitar apo roje spitali a klinike, se me dinjitetin tonë nuk mund të bëjnë më pazare!!! Mjaft më! 30 minuta dy herë në javë, mendoj që janë një kosto e vogël për t’u munduar të rregullojmë një padrejtësi kaq të madhe. Mos harroni. Çdo strukturë publike punon për ne. Nga Kryetari i Bashkisë, Drejtori i Spitalit, deri në punëtorin më të ri në UKT, ata punojnë për ne! Ata kanë për detyrë të na mbrojnë ne! Janë nën shërbimin tonë. Ne i kemi marrë në punë.
- Patjetër, ka edhe një zgjidhje. Të mos bëjmë asgjë. Të vazhdojmë me jetën tonë. Në fund të fundit është Kampionati Europian… do të ketë ndonjë festë në Pedonale… pse të humbim një orë jetë në javë… e për çfarë… ata me kancer janë gjithsesi… nuk po vdesin pas 5 vitesh, po vdesin pas 6 muajsh… problem i madh. Po, edhe ky është opsion. Edhe ky opsion ama ka një kosto. Mos-aktivizmi sot na e humb të gjithëve të drejtën të ankohemi nesër! Kështu që në kafen e mëngjesit do të na duhet të vazhdojmë të flasim vetëm për çfarë makine të re ka blerë kojshia.
25 Qershor 2024